Nuk ka shënuar asnjë gol, rekord negativ për Cristiano Ronaldon në Europian

Sport

Ndonëse Portugalia është kualifikuar në raundin e 1/8-ave të Europianit, raund, në të cilin do të luajë përballë Slloveninsë, duhet thënë se në aspektin individual, Cristiano Ronaldo nuk e ka nisur aspak mirë kompeticionin në fjalë.

Në të treja ndeshjet e luajtura të Grupit F, 39 vjeçari nuk arriti të shënonte dot asnjë gol, ndonëse tentoi 12 herë në drejtim të portës. Madje, jo vetëm kaq. CR7 nuk ka shënuar asnjë gol në 4 ndeshjet e tij të fundit në Europian, diçka që i ka ndodhur për herë të parë në karrierë me ekipin kombëtar, që prej vitit 2004, atëherë kur ishte edhe debutimi i tij me përfaqësuesen.

Për herë të fundit në një ndeshje Europiani, Ronaldo ka shënuar në grupet e 2020-tës, kurse në 1/8-tat ndaj Belgjikës nuk mundi ta gjente dot rrugën e rrjetës.

Më tej, që prej vitit 2004, kjo ishte hera e parë që Ronaldo nuk shënonte dot me Portugalinë në një fazë grupesh të një turneu madhor, qoftë Europian, apo Botëror.

Gjithësesi, 39 vjeçari ka mundësi ta thyejë këtë ecuri negative, duke nisur që nga ndeshja e radhës. Ronaldo është golashënuesi më i mirë në të gjithë historinë e Europianëve, me 14 finalizime.